Dyshonit tek Haland? Përgjigje me 3 gola në debutimin e Bundesligës!

Edhe nëse do të kishte kërkuar “në qiell”, ndoshta nuk do ta kishte gjetur një “margaritar” të tillë. Borusia e Dortmundit duket se ka fituar një “skedinë” me afrimin e Erling Halandit tani në janar, pasi sulmuesi 19-vjeçar lëshoi një “breshëri” të vërtetë në debutimin e tij në Bundesligë. Ndeshja në fushën e Augsburgut nuk mund të quhet gjithnjë e lehtë, dhe Dortmundi vuajti duke pësuar shumë gola, por kur ke Halandin, sado që të pësosh, sërish fiton.

Adoleshenti që erdhi nga Salcburgu realizoi 3 gola në fitoren 5-3, në një ndeshje që vendasit e kryesuan 2-0. Pasi Niderlehner e Rihter shënuan për Augsburgun, u mendua se Borusia do të përfundonte keq, por ja që ndodhi e kundërta. Brant shkurtoi shifrat, Niderlehner shënoi sërish për 3-1, por pastaj nisi spektakli i Halandit. Norvegjezi shënoi radhazi në 59’, 70’ dhe 79’, ndërsa në mes golave të tij realizoi edhe anglezi Sanço. Fitorja do të thotë se Dortmundi i trajnerit Klop u barazua me Bajernin, me nga 33 pikë në renditjen e Bundesligës, ka po aq gola sa bavarezët (46), dhe mbetet rival për titull. Për më tepër, me një Haland të tillë shanset pritet t’i ketë mjaft serioze.

Sfidanti.al