Problemi kryesor i kësaj skuadre është para porte. Partizani shënon shumë pak, dhe trajneri Sormani kërkoi fort nga klubi një sulmues për të arritur të rivalizojë me Kukësin e të tjerët, për të mbrojtur titullin. Duket se u gjet njeriu i duhur, pasi në ekip është afruar një nga ish-sulmuesit e njohur të Superligës. Flitet për Rezhinaldon, sulmuesin që u aktivizua me disa skuadra si Luftëtari, Laçi e Kukësi, duke u dalluar si golshënues.
Muajt e fundit, Rezhinaldo i kaloi tek Shahtari i Karagandës në Kazakistan, por tani duket se ishte lojtar i lirë, dhe udhëtoi me Partizanin në rrugën e kthimit nga Antalia për në Tiranë. Njëzetenëntëvjeçari ishte padyshim një nga gjahtarët më të mirë të golit në Superligë, edhe pse karriera e tij në Shqipëri pati edhe shumë momente konflikti e nervozizmi me trajnerë e presidentë. Gjithsesi, Sormani kishte nevojë për gola dhe sidomos me një lojtar që e njeh kampionatin shqiptar, ndaj edhe mozambikasi ishte kandidatura më e mirë.
Fuqia ofensive e kampionëve është pakësuar edhe më shumë me largimin e Jasir Asanit në Suedi, dhe me pezullimin që duket se mbetet në fuqi për Esat Malën, ndonëse trajneri italian besohet se dëshiron ta ketë në dispozicion. Nga Tirana ka ardhur lojtari i krahut, Kërçiku, ndërsa pritet që Partizani të tentojë edhe mesfushorin 19-vjeçar, Lundrim Hetemaj që Sormani e njeh që nga koha kur drejtonte Veljen në Danimarkë.
Sfidanti.al