Murinjo me fat dhe pa fat në Uatford, Totenhemi s’fiton që nga Krishtlindjet!

Nëse topi do të kishte qenë vetëm 10 milimetra më brenda portës, atëherë do të kishte ardhur suksesi. Ndodhi në sekondat e fundit të ndeshjes që Totenhemi e luajti në fushën e Uatfordit për Premier Ligën angleze, por fati nuk e deshi që skuadra e Zhoze Murinjos të merrte fitoren. Portugezi nuk i fiton dot tri pikët në kampionat që nga Krishtlindjet, dhe Totenhemi ka zbritur në mesin e tabelës, vërtet larg për të pretenduar kualifikimin për në Champions.

Gjithsesi, pafatësia e sekondave të fundit, konfirmuar edhe nga teknologjia në vijën fatale, ishte thjesht një barazpeshë për dhuratën e madhe që Uatfordi i bëri miqve, duke humbur shansin më të mirë për të shënuar, një penallti në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 69-të. Një barazim pra i drejtë në stadiumin “Vikërejxh Roud”, një pikë që nuk ndihmon shumë asnjërën nga skuadrat, pasi Uatfordi është pranë fundit të renditjes me vetëm 23 pikë.

Padyshim, skuadra e Murinjos po vuan shumë pasojat e dëmtimeve. Nuk është pak mungesa e kapitenit Joris në portë, dhe e sulmuesit kryesor e zv. kapitenit, Harri Kejn, që do të kthehet ndoshta në prill. Jo vetëm kaq, por edhe Kristian Eriksen është thuajse jashtë loje, me mendjen për të shkuar tek Interi. Totenhemi ka vetëm 31 pikë në 23 ndeshje të luajtura, dhe Murinjo nuk po arrin të bëjë kthesën e premtuar kur mori në dorëzim skuadrën pas shkarkimit të ish-trajnerit Maurisio Poçetino.

Sfidanti.al