Edhe një shef i Federatës sulmon Nejmarin para Kupës së Amerikës

Një nga lojtarët më të mirë të botës nuk i ka aspak mirë punët. Nejmar është përfshirë në një vorbull të madhe pas akuzave për përdhunim, dhe dyshimet ndaj tij kanë nisur të ngrihen deri në instancat e larta të Federatës Braziliane të Futbollit. Ishte vetë zv. presidenti i saj, Fransisko Noveleto, që i shprehur hapur ato në një intervistë për televizionin brazilian, SBT.

“Nëse Nejmari do të luajë (në Kupën e Amerikës), atëherë kjo mund të bëjë që Brazili të mos fitojë, – tha Noveleto, – e njoh mirë shtypin dhe mediat, dhe e di se do të merren gjithë kohën me të. Gjendja e tij është e vështirë, sepse do të dalin në dritë edhe gjëra të tjera. Një miku im në Rio de Zhaneiro më thotë se do të dalë një tjetër video”.

Nejmar është akuzuar për përdhunim nga një grua braziliane, identiteti i së cilës nuk jepet zyrtarisht, ndërsa mediat thonë se është modelja Nahila Trindade, 26 vjeç. Ajo ka bërë denoncim në një rajon policie në Sao Paulo. Noveleto, ndërkaq, lëshon fjalë të tjera të këqija për yllin e Paris SG. “Nëse do të duhej të vendosja unë, nuk do ta merrja Nejmarin në Kupën e Amerikës, – tha ai, – ai nuk është në gjendjen e duhur psikologjike për të luajtur ndërsa do të ketë përballë një batalion me gazetarë. Nejmar la shumë për të dëshiruar edhe në Botërorin e Rusisë”.

Sfidanti.al