Stërling, të erdhi edhe ty dita që të jesh kapiten i … Anglisë!

Në fushë duket pak i vogël dhe lodracak, aq sa shiritin e kapitenit askush nuk mendon t’ia japë. Rahim Stërling nuk e ka provuar këtë as tek Mançester Siti, ku i përhershmi ka qenë Vinsent Kompani, ndërsa në radhë ka shokë të tjerë, por tek Anglia gjërat po shkojnë ndryshe.

Një nga sulmuesit më në formë të sezonit në Premier Ligë, do të udhëheqë në fushë kombëtaren angleze, në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve ndaj Holandës. Lajmin e dha vetë agjencia e tij personale e marrëdhënieve me publikun, dhe kjo do të thotë se trajneri Sauthgejt ka vendosur të lerë njëkohësisht në stol dy kapitenët e tij, Harri Kejn dhe Xhordan Henderson.

Gjithsesi, burime në Federatën Angleze të Futbollit pohuan jozyrtarisht se trajneri i kombëtares ende nuk ka vendosur përfundimisht, ndonëse 24-vjeçari është kandidaturë për kapiten. Ai ka fituar trofe me Sitin këta vjet dhe ndoshta përvoja e tij mund të ndihmojë, me Anglinë që ndeshet në Gimaresh të Portugalisë me holandezët, dhe që kërkon të fitojë trofeun e parë që nga viti 1966.

Sfidanti.al