Augusto Sezar Lendoiro mund të quhet një nga njerëzit më të kënaqur në këtë botë, të paktën për suksesin sportiv, dhe buzëqeshja që ka në fytyrë nuk të lë të dyshosh për këtë. Ai që tashmë është ish-presidenti i Deportivos, ka një propozim që, nëse pranohet, mund të ndryshojë historinë e futbollit.
“Unë them që ndeshjet nuk duhet të jenë 90-minutëshe, por 70 minuta me kronometër, pra me lojë efektive”, – theksoi ai, menjëherë pas ndeshjes Deportivo-Lugo, ku skuadra mike e bëri baltë me vonesat në pjesën e dytë, duke mos lejuar të luhet futboll. “Ky ndryshim do të ndihmonte shumë arbitrin, por edhe lojën, – vazhdon Lendoiro, – sepse sot futbolli është një sport pa rregulla, ku nuk ndëshkohet humbja e qëllimshme e kohës, apo simulimet për vonesa”.
Propozimi i Lendoiros nuk është i pari i llojit të tillë, ndërsa nuk dihet nëse Bordi Ndërkombëtar do ta marrë parasysh apo jo, apo ndoshta do të presë përpara sesa ta diskutojë. Në Bord bëjnë pjesë federatat britanike si Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut, si dhe FIFA, dhe është ky Bord që përcakton rregullat e topkëmbës.
Sfidanti.al