Një kampion bote për Bajernin, mbrojtësi francez Pavar vesh fanelën në verë!

Një nga shpresat kryesore në rolin e tij. Benzhame Pavar, mbrojtës i shkëlqyer dhe kampion i botës me Francën në Rusi, do të hedhë një hap të madh në karrierë. Futbollisti 22-vjeçar do të bashkohet në verë me Bajernin e Mynihut, siç njoftoi zyrtarisht drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamixhiç.

“Mund t’iu konfirmoj se kemi arritur marrëveshje me Shtutgartin për të marrë në vetë Benzhame Pavarin, një lojtar i shkëlqyer, që do të firmosë një kontratë 5-vjeçare”, – theksoi ish-futbollisti nga Bosnjë-Hercegovina.

Klubi gjerman do të paguajë 35 milionë euro për kartonin, një shifër jo shumë e madhe për Pavarin, por krejt normale për standardet e Bundesligës, që janë më të ulëta sesa ato të Premier Ligës angleze apo La Ligës së Spanjës.

Mbrojtësi e filloi karrierën e tij tek Lila në Francë, dhe në vitin 2016 kaloi tek Shtutgarti në Gjermani, në moshën 20-vjeçare. Për dy sezone e gjysmë, ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, dhe Bajerni u mendua për ta marrë që verën e kaluar.

Gjithsesi, kampionët vendosën të prisnin edhe një vit, për të mos prishur marrëdhëniet e mira me Shtutgartin. Pavar mund të luajë në disa role në mbrojtje, diçka që mund ta ndihmojë shumë Bajernin.

Sfidanti.al