Në Moskë nuk kalohet, Fenerbahçe humb pas 12 fitoreve “varg”!

Euroliga pati dy ndeshje për “infarkt” ditën e fundit, dhe ajo më e forta u luajt në kryeqytetin e Rusisë, Moskë. Himki i shkaktoi Fenerbahçes humbjen e parë pas 12 fitoreve radhazi, duke e mundur 84-78. Ecuria e skuadrës turke, nënkampione e Europës, ishte më e mira në këtë kompeticion që nga 15 fitoret radhazi të CSKA-së së Moskës në sezonin 2014-2015. Himki, skuadër e mbushur me amerikanë dhe të huaj, u udhëhoq nga Stefan Markoviç me 13 pikë e 7 topa në tabela, ndërsa Entoni Xhil shtoi 12 pikë e 7 topa në tabela, dhe Di Bost pati 12 pikë e 5 asistë.

Fenerbahçe pati më të mirin, Melih Mahmutoglunë me 18 pikë (4 tripikësha), dhe Jan Veseli shtoi 17 pikë, 4 topa në tabela, 3 asistë dhe 5 vjedhje topi, por doli jashtë në periodën e katërt me gabime personale. Feneri e nisi mirë ndeshjen dhe kryesoi 26-13, por nuk mundi të mbante diferencën. Himki u afrua, kaloi edhe në avantazh dhe fitoi duelin e nervave në fund. Ndeshja pati shumë përmbysje dhe barazime, por rusët u shkëputën në 80-74 për të mos u arritur më.

Feneri kryeson sërish Euroligën me 15 fitore e 2 humbje, por Reali tani është më pranë, pas fitores dramatike në derbin spanjoll në fushën e Herbalajf Gran Kanaries. Vendasit kryesuan vazhdimisht, por pikërisht në fund, madrilenët treguan përvojën duke ia dalë 75-67. Reali ka 14 fitore e 3 humbje, ndërsa CSKA-ja e Moskës është e treta me bilancin 12-4, ndërsa luan sonte në fushën e Darushafakasë në Turqi.

Sfidanti.al