Duranti “bie dëshmor”, por Golden Stejti ka “shtatë jetë”!

Rrallë herë ka pasur një nivel të tillë dramaticiteti në finalet e basketbollit amerikan. Toronto ishte vetëm 3 minuta larg titullit të parë në histori, me 6 pikë epërsi, ndërsa Golden Stejti ndodhej në agoni dhe pa lojtarin që mund të quhet më i talentuari. Kevin Duranti pësoi dëmtim që në pjesën e dytë, një lëndim të rëndë për të cilin ai doli nga fusha duke sharë e ulëritur, ndërsa skuadra kanadeze u duk se po e përmbushte misionin e saj të madh.

Nuk qe e thënë! “Vëllezërit Splesh” ia dolën edhe një herë, të paktën për të shtyrë festën e “skiftërëve”. Stefën Kërri e Klej Tompson shënuan tri kosha tripikësh radhazi, ndërsa Toronto dështoi të realizonte gjuajtjen në sekondën e fundit, me ndeshjen që përfundoi 106-105 për kampionët në fuqi. Kërri realizoi 31 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 7 asistë, ndërsa Tompson pati 26 pikë, 6 tabela e 4 asistë.

Kevin Duranti luajti vetëm 11 minuta, ndërsa vendosi të kthehej nga dëmtimi, mesa duket para kohe, dhe kjo i prishi kaq shumë punë. i mbiquajturi “KD” realizoi 11 pikë dhe kapi 2 topa në tabela. Drejmong Grin pati 10 pikë, 10 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa qendra Demarkus Kouzins, që nuk e nisi titullar, shënoi 14 pikë në vetëm 19 minuta.

Leonard shënoi 26 pikë për vendasit, kapi edhe 12 topa në tabela e dha 6 asistë, dhe lojtarët e tjerë luajtën mirë. Louri pati 18 pikë, Mark Gasol 17, Ibaka 15, Siakam 12 dhe Vanvlit 11.

A mund të themi se Golden Stejti tashmë ka bërë kthesën? Është e pamundur ta pohosh, aq më shumë që fitorja ishte tepër e vështirë, thuajse një mrekulli. Toronto kryeson 3-2, me ndeshjen e 6-të që luhet në mëngjesin e 14 qershorit në Oklend, dhe me të 7-ën, nëse do të jetë e nevojshme, sërish në Toronto në 17 qershor.

Sfidanti.al