Reali fillon “zyrtarisht” operacionin e madh “Pol Pogba”

Zinedin Zidan mendon se mund të marrë maksimumin prej tij, ashtu siç po bën pak a shumë Didie Deshamp tek Franca. Trajneri i Realit të Madridit i ka vënë tashmë kusht kryesor presidentit Florentino Perez që t’i sjellë Pol Pogbanë, ndërsa blerjet e tjera cilësohen si më pak të rëndësishme. Në Spanjë, gazeta “Marka” shkruan se “Reali nisi më në fund operacionin Pol Pogba”, edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë.

Do të duhet të gjenden paratë, pasi ylli i Mançester Junajtidit nuk pritet të kushtojë më pak se 150 milionë euro, dhe po ashtu do të duhet një rrogë e lartë, edhe pse Pogba duket se është gati të paguhet më pak, mjaft që të braktisë “Old Trafordin” për “Santiago Bernabeun”. Dihet se Zidani nuk mund të bëjë shpenzime të tilla, nëse nuk do të largojë lojtarë, dhe lista sipas “Markës” është me 15 emra. Mes tyre Garet Bejl, Kejlor Navas dhe Hames Rodrigez. Nëse nuk do të jetë e mundur të merret Pogbaja, atëherë Zidan mund të pranojë Kristian Eriksenin e Totenhemit që kushton më pak.

Sfidanti.al