Vetë presidenti Deni Ejnxh, një nga legjendat, e shoqëroi në vizitën e fundit. Një yll i madh i NBA-së si Duejn Uejd, shkeli për herë të mbrame në Arenën e Bostonit, ndërsa karriera e tij mbyllet pas pak javësh. Sëlltiksat vendas e respektuan maksimalisht, por kjo vetëm derisa nisi dueli.
Kajri Irving me shokë nuk mund ta vazhdonin këtë respekt, ndërsa hynë në fushë, si zakonisht për të fituar. Bostoni fitoi me shifrat 110-105, duke forcuar pozitat në plej of. Irving shënoi 25 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbeu 5 pasime për kosh dhe vodhi dy topa nga kundërshtarët. Për vendasit, shkëlqeu edhe Horford me një tripëll dabëll, 19 pikë, 11 topa në tabela e 10 asistë, por edhe Tatëm, Bejns e Hejuord.
Formacioni shumë i talentuar i Bostonit ishte tepër i fortë për t’u përballuar nga Uejd, që luajti 29 minuta dhe shënoi 17 pikë. Për Majemin, më i miri ishte ylli nga Sllovenia, Goran Dragiç, me 30 pikë të realizuara, 5 pasime për kosh dhe 5 vjedhje topi.
Ndeshja ishte tepër e fortë, sidomos pranë fundit, kur skuadra nga Florida u afrua në vetëm 2 pikë, por nuk qe në gjendje që të fitonte. Uejd i jep fund një karriere 16-vjeçare në NBA, në të cilën u shpall tri herë kampion, duke qenë një nga lojtarët më të mirë në histori.
Sfidanti.al