Doradosi e pret, por Maradona ka punë me “bisturinë”

Duhej të ishte një kontroll i zakonshëm, rutinë, por për fat të keq shkoi krejt ndryshe. Diego Armando Maradona ndoshta ndjeu ndonjë shqetësim, dhe me gjasë prandaj “trokiti” në derën e Klinikës “Olivos” në Buenos Aires të Argjentinës. Legjenda e futbollit u vizitua nga mjekët, që zbuluan të habitur se ai kishte hemoragji në stomak. Pas kësaj, doktorët vendosën se Diego kishte nevojë për një operacion për të zgjidhur problemin, dhe lajmet janë se ai është nën trajtim urgjence.

Maradona pritej të kthehej shpejt në Meksikë, në drejtimin e skuadrës së kategorisë së dytë, Dorados, por tani kjo mund të vonohet. Ish-kampioni i botës siguroi vazhdimin e punës edhe për një sezon tjetër, ndërsa ekipi i tij u eleminua në plej ofin për t’u ngjitur në elitë. Maradona bëri punë të mirë, pasi përpara ardhjes së tij, Doradosi ishte në vendet e fundit të renditjes.

Sfidanti.al