Euroliga, Fenerbahçe në krye, Reali e CSKA-ja e ndjekin!

Fenerbahçe kaloi një tjetër pengesë serioze në Euroligën e basketbollit të meshkujve, duke ruajtur edhe më tej kryesimin. Skuadra turke, nënkampione e Europës në fuqi, triumfoi në Stamboll ndaj baskëve të Baskonias së Vitorias me shifrat 96-87. Formacioni i trajnerit Zheljko Obradoviç kryesoi deri në 69-48 në pjesën e dytë, por Baskonia u afrua në 82-81. Në fund, Guduriç dhe Veseli i dhanë fitoren Fenerbahçes që kryeson renditjen me 15 fitore e vetëm 1 humbje. Nikolo Meli shënoi 19 pikë, Jan Veseli pati 15, Marko Guduriç realizoi 14, ndërsa Datome e Slukas shtuan nga 11. Shejvën Shilds udhëhoqi baskët me 22 pikë.

Reali nuk e pati shumë të lehtë në një klasike të madhe ndaj Makabit të Tel Avivit, edhe pse luajti në Madrid. Izraelitët mbyllën në barazim gjysmën e parë të ndeshjes (44-44). Pas pushimit, spanjollët e morën ndeshjen më seriozisht dhe u shkëputën duke fituar 91-79. Gustavo Ajon shënoi 19 pikë dhe kapi 9 topa në tabela, Rudi Fernandez e ndihmoi me 13 pikë e 5 topa në tabela, ndërsa Sergio Jul u rikthye në formë me 11 pikë e 10 asistë. Amerikani Majkëll Roll i Makabit ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 23 pikë.

CSKA-ja e Moskës pati një ndeshje tepër të vështirë në Lituani, ku u përball me rivalin e vjetër, që në kohët sovjetike, Zhalgirisin e Kaunasit. Në një duel që pati disa kthesa, rusët kryesuan në gjysmën e parë të ndeshjes, pastaj ishin në dizavantazh të 4 pikëve në periodën e tretë, por reaguan në të katërtën duke fituar 84-79. Amerikani Klajbërn ishte më i miri për CSKA-në me 19 pikë, 4 topa në tabela e 3 asistë, amerikani tjetër Heket shënoi po 19 pikë, ndërsa francezi De Kolo shtoi edhe 13 pikë, me 3 asistë dhe 3 vjedhje topi. Amerikani Dejvis ishte më i miri për Zhalgirisin me 19 pikë e 7 topa në tabela.

Fenerbahçe kryeson me 15 fitore e 1 humbje, Reali është i dyti me 13 fitore e 3 humbje, ndërsa CSKA e treta me 12 fitore e 4 humbje.

Sfidanti.al