E tillë finalja e Kupës së Botës në Katar që nxorri në përballjen e mbrame dy yjet e cilësuar si më të mëdhenjtë e botës, dhe dy skuadra të shquara. Në mungesë të një Brazili apo të një Gjermania (Italinë nuk po e llogarisim këtë herë), shumëkush dëshironte një duel të tillë si kulmin e shfaqjes. Kampionët e botës në fuqi bënë detyrën duke mundur 2-0 Marokun, një ditë pasi edhe Argjentina e kaloi me sukses “provimin” e saj kundër Kroacisë. Gjithsesi, duhet të themi se “nota” e marrë nga “gjelat” nuk ishte maksimale, dhe se marokenët zhvilluan një ndeshje të shkëlqyer.
Teo Hernandez kaloi që në 5’ në epërsi kampionët me golin e tij të shpejtë, por “Luanët” afrikanë e dhanë vërtet shpirtin në fushë. Ata ishin barabar me Francën në gjuajtjet në portë dhe jashtë saj, në goditjet nga këndi, dhe madje fituan sfidën për kontrollin e topit. Nuk shënuan dot gol, edhe pse patën mundësi, një shtyllë e shkëlqyer me një roveshat dhe një rast i humbur thellë në pjesën e dytë kur rezultati ishte ende 1-0. Fakti që Mbape, Zhiru apo Grizman nuk shënuan tregon se ata u mbuluan fort, ndërsa rrjetën e dytë e realizoi zëvendësuesi Muani.
Tashmë, finalja do të jetë mes Kilian Mbapesë dhe Lionel Mesit, “trashëgimtarit” dhe “mbretit”, ndërsa Franca është padyshim skuadra më e talentuar e botës. Ajo përballon mungesat e Benzemasë, Pogbasë, Kantesë dhe dëmtimin e Lykas Hernandezit, ndërsa përballoi edhe mungesën e dy titullarëve si Upamekano apo Rabio, me Pavarin në stol. Kampionët janë në finalen e dytë radhazi, dhe synojnë titullin e tretë, për të distancuar edhe më shumë Anglinë e Spanjën, dhe për të kaluar pikërisht Argjentinën.
Sfidanti.al