Do të jetë Benzemaja për finalen, apo ekipi që fiton nuk ndryshon?!

Didie Deshamp nuk deshi t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, ndërsa u bezdis dukshëm kur ia bënë, ndonëse reagoi në mënyrë elegante. Trajneri inteligjent i Francës, “gjenerali i vogël”, me gjasë nuk deshi të hapte një temë që mund të jetë një “sekret shtetëror”. Karim Benzema vërtet u largua nga kombëtarja franceze në prag të Botërorit për shkak dëmtimi, por tashmë ai ka filluar stërvitjen tek Reali, e madje mori pjesë në miqësoren ndaj Leganjesit. Lajmet nga Spanja janë që Madridi nuk do ta pengojë 34-vjeçarin që të shkojë sërish në Katar për të qenë në finale. Mbetet të shihet nëse Deshamp do të mendojë që Benzema është në formë të përshtatshme dhe mund të ndihmojë, apo nëse do të ishte më mirë të vazhdohej me skuadrën e tanishme, ku Zhiru është qendërsulmuesi dhe pas tij janë Mbape, Grizman e Dembele.

Sfidanti.al