Diego Kosta, 221 ditë pritjeje për një gol dhe një … dëmtim

Ishte si një luan i lëshuar nga kafazi, apo siç thotë populli “si një qen i lëshuar nga zinxhirët”. Diego Kosta mezi po e priste rastin e tij dhe ai i erdhi në minutën e 65-të të ndeshjes së Kupës së Mbretit në Spanjë, me trajnerin Diego Pablo Simeone që vendosi ta hidhte në fushë që nga stoli. Kaluan vetëm pesë minuta dhe ish-sulmuesi i Çelsit realizoi thuajse me prekjen e parë të topit në portën e Jeidës (Lleida), por menjëherë u dëmtua. Në momentin e golit, u godit me një mbrojtës dhe fizioterapistët e Atletikos u detyruan të hynin në fushë për ta mjekuar. Pasi e mori veten, ai i kërkoi Simeones që të vazhdonte të luante dhe trajneri nuk ia prishi qejfin.

Kishin kaluar 221 ditë të gjata që kur ai doli për herë të fundit nga fusha për Çelsin për të mos u kthyer më, ndërsa pati konfliktin me sms me Antonio Konten, pas të cilit përfundoi jashtë planeve të bluve. Kosta u kthye në stërvitje tek Atletiko me 8 kilogram mbi peshë, sasi dhjami që iu hoq nga specialistët e skuadrës së Madridit. Simeone është më i lumtur pasi tani ka Diego Kostën, Fernando Torresin dhe, për momentin, Antuan Grizmanin, si “artileri” të rëndë në sulm. Atletiko fitoi 4-0 në fushën e Jeidës me gola të shënuar nga Diego Godin, Fernando Torres, Diego Kosta dhe Antuan Grizman.

Sfidanti.al