Derbi i Torinos është sërish punë e Juventusit, pavarësisht se polemikat nuk mund të mungojnë kurrë. “Zonja e Vjetër” mposhti 2-0 Torinon në stadiumin e saj ultramodern në Kupën e Italisë, me gola të Dagllas Kostës e Mario Manxhukiçit, ndërsa momenti kulmor për ekipin “granata” ishte kartoni i kuq për trajnerin Sinisha Mihajloviç. Dagllas Kosta ishte në krah të Paulo Dibalës (Higuain në stol për rotacion), duke dominuar ndeshjen së bashku me Manxhukiçin. Braziliani shënoi golin e parë, pastaj Torino iu afrua barazimit me shtyllën e goditur nga Niang.
Pas pushimit, erdhi goli i Manxhukiçit, që Torino e quajti të pavlefshëm për shkak të një ndërhyrjeje të ashpër të Khedirës ndaj Akuahut. Arbitri Doveri u këshillua me teknologjinë VAR, ndërsa la në fuqi vendimin për gol të rregullt, duke iu përsëritur torinezëve “preku topin” (Khedira). Mihajloviç protestoi ashpër dhe mori karton të kuq. Tashmë, Juvja do të luajë në gjysmëfinale ndaj Atalantës, në një përballje me dy ndeshje, siç do të jetë me dy ndeshje edhe sfida Lacio-Milan. “Zonja” do të kërkojë Kupën e katërt radhazi.
Sfidanti.al