Denver i jep fund pritjes, shpallet kampion i NBA-së!

U deshën 47 vjet dhe dështime pas dështimesh, që më në fund t’ia dilte. Denver Nagets është kampionia më e re e basketbollit amerikan, duke fituar titullin për herë të parë. Kjo, pas suksesit 94-89 ndaj Majemit në Arenën shtëpiake, duke marrë epërsinë 4-1 me fitore. Paradoks që triumfi më i madh në histori u arrit me ndeshjen më të dobët në plej of, ku u gabuan 20 nga 22 gjuajtjet e para për tri pikë dhe 7 nga 13 gjuajtjet e lira. Nikola Jokiç shënoi 28 pikë e kapi 16 topa në tabela duke shtuar vetëm 4 asistë, në një përballje ku mbrojtjet ishin të forta dhe sulmi i dobët. Xhamal Marrej shtoi 14 pikë, 8 topa në tabela e 8 asistë për Denverin, që më në fund e shtoi emrin e tij në listën e kampionëve të NBA-së.

Sfidanti.al