CSKA nuk njeh rivalë në Euroligë, mposht edhe Barcelonën!

CSKA e Moskës nuk është vetëm kampione e Europës në basketbollin e klubeve. Kampionia e Rusisë është edhe dominuesja e këtij viti në Euroligë, pasi arriti fitoren e 11-të në 12 ndeshje, duke kryesuar pa rivalë. E fundit që e ndjeu forcën e saj ishte Barcelona, që në Arenën e ish-Ushtrisë së Kuqe, u mposht me 16 pikë diferencë, 76-92. Ylli serb, Millosh Teodosiç ishte përsëri më i miri për shtatë herë kampionët e kontinentit, pasi shënoi 16 pikë dhe shërbeu 11 asistë, veçse edhe lojtarët e tjerë të CSKA-së ishin shumë mirë. Amerikani Kori Higins shtoi 23 pikë, rusi Nikita Kurbanov shënoi 15 dhe rusi tjetër Vitali Frixhon arriti shifrën 13 pikë, madje realizuara në vetëm 8 minuta. CSKA realizoi 16 vjedhje topi, ndërsa nuk ndjeu mungesën e lojtarëve shumë të rëndësishëm si Nando De Kolo apo Aron Xhekson.

Një derbi u luajt në ndeshjet e tjera të së premtes në Euroligë, me Panathinaikosin që tregoi krenarinë e një klubi të madh me fitoren në Athinë ndaj nënkampiones së Europës, Fenerbahçes së Stambollit, 81-70, ndërsa një “thriller” u luajt në Stamboll, ku Gallatasaraji kaloi Milanin 83-80. Pas 12 javësh, CSKA kryeson me 11 fitore e 1 humbje, ndjekur nga katër skuadra me 8 fitore e 4 humbje, që janë Reali i Madridit, Olimpiakosi, Baskonia dhe Fenerbahçe.

Sfidanti.al