Nuk mbaron vala e “sulmit ndaj futbollit” në Spanjë. Në një vend që është njohur si parajsa për të luajtur lojën më popullore të botës, tani gjithçka është ndryshe, të paktën përsa i përket gjyqeve. Aleksis Sançez u bë më i fundmi lojtar që ra viktimë e proceseve, pasi atij iu sekuestrua shtëpia me katër dhoma gjumi në Spanjë, pasi u vu nën akuzë për shmangie nga pagimi i taksave. Autoritetet po hetojnë periudhën kur ai luajti për Barcelonën.
Mediat spanjolle njoftojnë se ai akuzohet për 3.7 milionë euro detyrime fiskale të papaguara që korrespondojnë për vitet 2011, 2012 dhe 2013. “El Mundo Deportivo” shkruan se sulmuesi nga Kili, që sot luan për Arsenalin, akuzohet se simuloi shitjen e të drejtave të tij të imazhit nëpërmjet “Numidia Trejding”, një kompani në Maltë. Më herët është shkruar se ai mashtroi qeverinë spanjolle për shumën e 1 milionë eurove pasi i devijoi të ardhurat e tij nëpërmjet një tjetër kompanie.