Është favorit për ta fituar Kupën e Botës të klubeve dhe këtë e di mirë. Reali i Madridit u stërvit në një atmosferë “gallate”, ndërsa do të luajë në stadiumin e Jokohamës ndaj skuadrës vendase nga Japonia, Kashima Antlers, për të fituar trofeun e fundit të vitit. Kristiano Ronaldo (në foto), Luka Modriç, Mateo Kovaçiç, Kiko Kasija apo Alvaro Morata, të gjithë bënë gjeste humori, ndërsa kryenin seancën stërvitore para finales. Madrilenët kaluan në gjysmëfinale kampionen e Amerikës së Veriut dhe Qendrore, Klub Amerika të Meksikës pas fitores 2-0. Karim Benzema dhe Kristiano Ronaldo shënuan në skaj të secilës pjesë, me yllin portugez që arriti në 500 gola të shënuar me fanelën e klubeve. Kashima Antlers shkaktoi të papriturën duke mundur 3-0 fituesen e Kupës Libertadores, kampionen e Amerikës së Jugut, Atletiko Nasionalin e Kolumbisë, por nuk pritet ta bëjë surprizën për herë të dytë.
Sfidanti.al