Për Dortmundin ka 11 gola në 7 ndeshje. Në Champions, ka 10 rrjeta në po 7 ndeshje, dhe ky nuk është as Lionel Mesi, e as Kristiano Ronaldo, por thjesht Erling Halandi. Përralla e nisur që në fillim të sezonit po vazhdon për sulmuesin adoleshent nga Norvegjia, tashmë me fanelën e Borusias, pasi shkëlqeu fort me atë të Salcburgut. Nëse ka një arsye që tifozët dhe analistët besojnë në kualifikimin e skuadrës gjermane për në çerekfinale, në dëm të Paris SG, është pikërisht Halandi, autori i dy rrjetave në duelin e parë të turit të dytë luajtur në “Signal Iduna Park”. Francezët nuk e përballuan dot presionin e “Murit të Verdhë”, pra të 80 000 tifozëve fanatikë vendas, por sidomos nuk ia dolën dot përballë talentit, rinisë dhe fuqisë së Halandit.
Pas një pjese të parë të ashpër, dhe të luajtur më mirë nga gjermanët, Halandi hapi rezultatin në 69’, duke reaguar më shpejt se të gjithë ndaj një topi pranë portës. Nejmar, i bërë gati me nxitim para ndeshjes, arriti të barazonte, por Haland tha fjalën e fundit, me një gol shumë të bukur nga hyrja e zonës. Kishin kaluar vetëm 2 minuta që kur Nejmar kishte barazuar, pas shërbimit të Kilian Mbapesë.
Pas ndeshjes, adoleshenti foli si ndonjë burrë i madh, si një kampion që kënaqet vetëm me përsosmërinë. “Jam i kënaqur që u shpalla lojtari i ndeshjes, – tha norvegjezi, – por, unë e di se mund të luaj edhe më mirë se kaq. Madje, unë e kam për detyrë që të luaj më mirë në këto nivele, dhe duhet të punojmë fort që të gjithë që të përmirësohemi. Rezultati është i rrezikshëm, pasi PSG është skuadër shumë e fortë dhe mund të kualifikohet, por ne do ta provojmë deri në fund”.
Sfidanti.al