Ju e dini, vitin e kaluar kjo skuadër humbi 0-3 në Spanjë ndaj Barcelonës, por sërish doli kampione e Europës. Po ashtu, gjithkush e mban mend se Atletiko mundi 2-0 Juventusin në Madrid dhe sërish u eleminua, por gjithsesi ndeshja e parë e turit të dytë të Championsit në “Uanda Metropolitano” nxorri plotësisht të drejtë përkufizimin e Jurgen Klopit. Trajneri i Liverpulit parashikoi se “të luash ndaj Atletikos është një nga gjërat më të vështira që mund t’i qëllojë një futbollisti”. Kështu edhe doli!
Një gol i Saul Nigesit që në minutën e 4-ët futi ndeshjen në “shinat” që donte Atletiko e Diego Pablo Simeones, dhe bardhekuqtë ishin kaq të zot në mbrojtje saqë, ndonëse Liverpuli mbajti topin 73 për qind, nuk arriti të fuste asnjë top në kuadrat për 95 minuta. Shpresa e vetme mbetet “Fortesa Anfild” (siç e quajnë mediat angleze), aty ku Barcelona u mund 0-4, dhe ku kanë ndodhur shumë mrekulli në historinë europiane të 6 herë kampionëve të kontinentit.
Spanjollët bënë çdo përpjekje, me të mirë e me të keq, me talent dhe me dinakëri, nuk e patën problem të mbylleshin në 30 metra fushë pranë portës së Oblakut, por e bënë kaq saktë saqë portieri slloven nuk pati thuajse aspak punë në një mbrëmje që parashikohej si tepër e vështirë. Padyshim, u ndihmua nga fakti se Sadio Mane u kthye nga dëmtimi dhe nuk kishte shpejtësinë e duhur, po ashtu Salah nuk u duk në maksimum dhe mesfusha e kampionëve të Europës ishte paksa “robotike”, pa fantazinë e duhur. Edhe pse Liverpuli bëri lojën, rezultati u duk i drejtë dhe tani i takon “Anfildit” për të vendosur.
Nuk ishte mbrëmja e të kuqve, por ishte mbrëmja e Erling Halandit, që shënoi dy gola për Dortmundin duke i dhënë fitoren 2-1 në Gjermani ndaj Paris SG, në takimin tjetër të turit të dytë. Nejmar u dha shpresë parizienëve për kualifikimin.
Sfidanti.al