Çfarë sherri i brazilianëve me Roi Kinin pas kritikave për “Vallen e Pëllumbave”!

Qenka turneu i kacafytjeve. Kur nuk ndodhin në fushë, nuk mungojnë aspak nëpër studiot televizive dhe në media, por e habitshme është kur gjithçka nis nga një vallëzim. Polemikat kanë shpërthyer të forta pasi futbollistët e Brazilit e kthyen fitoren 4-1 ndaj Koresë së Jugut në një spektakël me koreografi të menduar mirë pas çdo goli. Ndërsa kremtuan rrjetat në mënyra të ndryshme, kulmi arriti pasi Risharlison realizoi të tretën. Lojtarët shkuan tek trajneri Tite dhe e bindën që të kërcente bashkë me ta atë që quhej “vallja e pëllumbit”.

Kjo gjë nuk i pëlqeu aspak analistit televiziv, Roi Kin. Ish-ylli i Irlandës dhe i Mançester Junajtidit, deklaroi në ekranin e televizionit britanik, ITV, se sjellja e brazilianëve ishte mungesë respekti ndaj kundërshtarit. Kjo kritikë nuk u pëlqye aspak në Brazil. Televizioni kryesor TNT Sports, e sulmoi ish-yllin e Irlandës: Roi Kin, nuk të pëlqeu vallja? Plas nga inati! Këtu është Brazil! Trajneri Tite deklaroi se festimi nuk kishte si qëllim fyerjen e koreanëve të jugut, por ishte thjesht shprehje e gëzimit për golat. Tifozët kritikuan në rrjetet sociale se Kin nuk e kupton kulturën braziliane, ndërsa nuk ngurruan ta akuzonin si “kasap” apo “ekzekutues” kur ishte futbollist dhe i dha fund karrierës së një kundërshtari me një ndërhyrje të tmerrshme. Përtej polemikave, Brazili fitoi 4-1 dhe me të drejtë cilësohet si favoriti për të fituar Kupën e Botës.

Sfidanti.al