Në kohën e Romës së Lashtë, ishin komandantët e qindsheve nëpër legjione, që cilësoheshin të tillë. Një “centurion” i kohëve moderne u bë Kristiano Ronaldo, jo sepse do të udhëheqë 100 lojtarë në fushën e lojës, por sepse arriti dhe kaloi kuoten 100 golave me kombëtaren e Portugalisë. Kjo ndodhi në sfidën e Ligës së Kombeve në fushën e Suedisë, fituar 2-0 me dy golat e yllit të Juventusit, që të dy të veçantë. i pari me goditje dënimi në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, dhe i dyti me të djathtën në hyrje të zonës në 72’. Portugalia u ndihmua nga kartoni i kuq i Svensonit në 44’, por golat e CR7-ës ishin meritë personale.
Tashmë, ai është pranë rekordit botëror që mbahet nga iraniani Ali Daei me 109 gola për kombëtaren në 149 ndeshje. Në vend të tretë në këtë renditje është Mohtar Dahari i Malajzisë me 14 gola më pak sesa Ronaldo, ndërsa Lionel Mesi është i vetmi nga yjet e mëdhenj (ende në lojë) që është disi pranë, me 70 rrjeta për Argjentinën. Gjithsesi, yje si Ferenc Pushkash, Pele apo Gerd Myler kanë përqindje shumë më të mirë realizimi sesa Kristiano. Pushkash ka 84 gola për Hungarinë në 85 ndeshje, Pele 77 gola për Brazilin në 92 sfida dhe Gerd Myleri ka 68 gola në vetëm 62 ndeshje.
Sfidanti.al