Ndoshta, kanë të drejtë parashikuesit e basteve. Për ta, pretendentët kryesorë të Premier Ligës janë dy, dhe mes tyre nuk bën pjesë Çelsi. Liverpuli e Mançester Siti bindin më shumë sesa skuadra e trajnerit Mauricio Sarri, dhe kjo fundjavë sikur dha një provë për këtë. Blutë e Londrës nuk mundën të thyenin mbrojtjen e ashpër të Uest Hemit, dhe u mjaftuan me një barazim pa gola në fushën e rivalëve.
Në një ndeshje të fortë, Çelsi ishte skuadra që sulmoi vazhdimisht, por pa arritur të gjejë hapësira në zonën kundërshtare në “Stadiumin e Londrës”. Jo vetëm kaq, por të mbiquajturit “çekiçët”, patën të paktën dy raste të mirë për shënim, të cilët u humbën nga sulmuesit Majkëll Antonio dhe Andrij Jarmolenko. Skuadra e Sarrit nuk përfitoi dot as nga fakti, se Uest Hemi ishte këtë herë pa sulmuesin kryesor, Marko Arnautoviç.
Tashmë, Çelsi mbeti prapa Liverpulit, duke pasur 16 pikë, po aq sa kampionia në fuqi, Mançester Siti. Besohet se trajnerit italian do t’i duhet të paktën një vit për të krijuar skuadrën që dëshiron, dhe ndoshta sezonin tjetër do të luftojë në kushte më të barabarta me kolegët e tij, Jurgen Klop e Pep Guardiola.