Buxheti i sezonit të kaluar ishte 708 milionë euro. Shefi ekzekutiv i Barcelonës, Oskar Grau, deklaroi me krenari se për 2017-2018 parashikimi ishte 897 milionë euro, një rekord mbi rekordet, me katalanasit që pritet të bëhen i pari klub që t’i afrohet shifrës mitike të 1 miliardë eurove.
Gjithsesi, situata nuk është kaq “rozë”. Vetë gazeta tifozë barceloniste, “El Mundo Deportivo”, nëpërmjet analistit Migel Riko, pranon se klubi shpenzon 84 për qind të të ardhurave vetëm e vetëm për të paguar rrogat e lojtarëve, pasi borderoja është e jashtëzakonshme. Kjo pritet të rëndohet me kontratën e re të Mesit, pavarësisht marrëveshjes së sponsorizimit për emrin e stadiumit.
Në këto kushte, Grau pranon se Barça duhet të transferojë lojtarë përpara se të marrë Kutinjon, për të cilin është gati të paguajë menjëherë 120 milionë euro. Flitet për 5 largime si Arda Turan, Tomas Vermelen, Aleish Vidal, Pako Alkaser si dhe Andre Gomes, lojtarë për të cilët është shpenzuar shumë, por që nuk kanë dhënë atë që pritej (Gomez mund të veçohet). Siç thuhet në Spanjë, nëse nuk fitohen të ardhura nga këta lojtarë, Barça nuk mund ta marrë Kutinjon, edhe nëse Liverpuli ia jep falas.
Sfidanti.al