Bravo i qoftë Ronaldos, por ky Mançester Junajtid nuk shkon larg kështu!

Nëse futbolli do të ishte një shkencë paksa më ekzakte, “djajtë e kuq” duhej të ishin mundur madje keqazi edhe pse luanin në “Old Traford”. Mançester Junajtidi u vu me shpatulla pas murit nga Vijarreali që pati raste për të shënuar të paktën 5 gola përballë një ekipi që u kritikua drejtpërdrejt ndërsa vazhdonte ndeshja e Championsit. Në fund, gabimet e spanjollëve në sulm, dhe klasi i Kristiano Ronaldos bënë që Junajtidi të fitonte 2-1 duke përmirësuar pozitat në grup pas humbjes 1-2 në Zvicër me Jang Bojsin.

Spanjollët gjuajtën më shumë, por sidomos ishin shumë më të rrezikshëm, ndërsa anglezët patën fat. Pako Alkaser kaloi miqtë në epërsi në 53’, ndërsa Aleks Tejes barazoi në 60’ e Kristiano Ronaldo shënoi në minutën e 7-të shtesë. Ky ishte goli i tij i pestë që kur ka mbërritur në “Old Traford”, i dyti në Champions, ku ka 136 rrjeta, 15 më shumë sesa rivali i tij i madh, Lionel Mesi. “E patëm shumë të vështirë, por treguam karakter që besuam, – tha trajneri Solskjer, që shmangu një humbje të katërt në 5 ndeshjet e fundit, – kemi ende shumë punë për të bërë, por unë mendoj se kjo skuadër ka të ardhme”. Në stadium ishin Usain Bolti, rekordmeni i sprintit në atletikë, dhe Sër Aleks Fergusoni që doli nga “Old Trafordi” me një qeshje disi të djallëzuar në buzë. Ai e ka provuar shumë herë më parë një gjë të tillë.

Sfidanti.al