Ka diçka edhe të mirë, edhe të keqe në këtë gjë. Armando Broja nuk do të mundë të përballet me kampionët e Europës këtë fundjavë në Premier Ligën angleze. Sulmuesi i kombëtares shqiptare është i huazuar tek Sauthemptoni nga ana e Çelsit, dhe ekipi i tij ndeshet pikërisht me Blutë e Londrës këtë të shtunë në orën 16:00. Sipas një klauzole të kontratës mes dy klubeve dhe me lojtarin, Broja është i ndaluar që të përballet me punëdhënësit e tij, sepse nuk mund të mendohet që ai t’u shkaktojë atyre dëm.
Kjo do të thotë se lojtari 20-vjeçar thjesht do të vazhdojë të stërvitet me shokët tek Sauthemptoni, në pritje për t’u bashkuar me ekipin kombëtar për ndeshjet eleminatore të Kupës së Botës ndaj Hungarisë e Polonisë në tetor. E vërtetë që trajneri kuqezi Edi Reja do të dëshironte që Broja të fitonte më shumë përvojë duke u ndeshur me Çelsin, fitues në fuqi i Championsit, por nga ana tjetër ai do të jetë i qetë sepse lojtari nuk do të ketë asnjë rrezik për dëmtim.
Sulmuesi i ri ka provuar këtë sezon nivelin e Premier Ligës angleze, pasi shkëlqeu edicionin e kaluar në Superligën e Holandës me Viteshen. Ai ka alternuar paraqitje shumë të mira, dhe ndeshje ku ka hasur vështirësi. Gjithsesi, trajneri Ralf Hazenhytl thotë se ka besim të plotë tek Broja dhe se strategjia e tij është që t’u japë shansin lojtarëve të rinj të krijuar nga akademitë në Angli, pasi shpejt kjo do të japë fryte. Pritet që shqiptari të jetë një lojtar i vërtetë dhe i rëndësishëm i kampionatit më të fortë të botës në sezonet në vijim.
Sfidanti.al