Botërori i “gijotinës”, pas Gjermanisë bie edhe Spanja, Rusia në çerekfinale

Ajo që ka ndodhur është histori. E tillë mund të quhet tani edhe Spanja e brezit më të madh të saj, njërit prej brezave më të mëdhenj të futbollit. U eleminua nga Botërori që në turin e dytë, dhe në çerekfinale shkoi Rusia shumë e nënvleftësuar. E vërtetë, kjo ndodhi vetëm pas gjuajtjes së penalltive, dhe pas 120 minutave lojë, por ishte përfundimi logjik i sfidës së Moskës.

Superklasi i De Geas, Pikesë, Ramosit, Iniestës, Busketsit apo Asensios nuk mundi të përballonte lojën me zemër të skuadrës vendase, të drejtuar nga njeriu i fortë, Stanislav Çerçesov. Rusia, një ekip që mund të quhet pa talent apo punëtor, bllokoi çdo gjë që bëri dominuesja e futbollit botëror prej vitit 2008.

Spanja pati gjithçka, me përjashtim të dëshirës për të sakrifikuar, e kundërt me rusët apo me uruguajanët një mbrëmje më herët. Për fat të keq, kur kjo mungon, gjithçka bëhet e pavlerë. Favoritët e Botërorit patën, gjithsesi, epërsi në stadiumin “Luzhniki”, me vendasit që më së shumti u mbrojtën dhe kundërsulmuan.

Spanjollët krijuan më shumë raste, por jo aq sa duhet dhe nuk i shfrytëzuan dot. Në fund, penalltitë i humbën dy lojtarët me më pak përvojë, Kokë e Iago Aspas, ashtu siç ishte frika. Në një Botëror çudirash, pas Gjermanisë, Argjentinës dhe Portugalisë iku edhe Spanja.

Sfidanti.al