Publiku në Arenën O2 në Londër ishte në favor të të blertëve dhe ata nuk zhgënjyen, ndonëse thuajse e bënë. Thirrjet në Pallatin londinez të Sportit “MVP” (lojtari më i mirë i sezonit) ishin për Kajri Irvingun dhe ylli i ri i basketbollit amerikan e udhëhoqi skuadrën e tij pa u gabuar drejt fitores.
Boston Sëlltiks fitoi 114-103 ndaj Filadelfias në ndeshjen që luhet për të 8-in vit radhazi në Europë, në Britaninë e Madhe, edhe pse skuadra humbëse kryesoi deri në +22 pikë. Sëlltiks ia dolën vetëm në periodën e tretë dhe pastaj në të katërtën që të vendosnin autoritetin e tyre mbi një ndeshje që u duk e mallkuar.
Irving udhëhoqi kryesuesit e Konferencës Lindore dhe mëtuesit e titullit kampion, duke shënuar 20 pikë, kapur 6 topa në tabela e shërbyer 7 asistë, në 31 minuta lojë në parket, duke u kursyer jo pak nga trajneri i tij, Bret Braun. Boston Sëlltiks është rekordmeni i titujve në historinë e NBA-së dhe besohet se ka forcën të sfidojë Golden Stejtin, Klivlendin apo Hjustonin për të fituar “unazat”.
Publiku londinez natyrisht që u tërhoq nga fakti se në sytë e tij po luante një ekip nga “Amerika e Vjetër” apo “Anglia e Re”, nga Bostoni, dhe që quhet “Sëlltiks” në një “kushtrim të të parëve”, pionierëve europianë që kaptuan Atlantikun për t’u vendosur në Botën e Re.
Sfidanti.al