Një anglez në Nju Jork thotë kënga e Stingut, por ndoshta do të ketë një tjetër këngë në Londër. Dy italianë të shquar me shumë gjasa do të kenë një derbi në kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, dhe këta janë Karlo Ançeloti e Masimiliano Alegri. I pari pa punë, i dyti në stolin e Juventusit, por që të dy me emër të madh dhe trofe.
Ançeloti kërkohet nga Arsenali, plot 7 vjet pasi shkëlqeu me Çelsin duke fituar edhe titullin kampion. Pesëdhjetetetëvjeçari nuk është një tradhëtar, por shprehja diplomatike thotë se “tradhëtia është vetëm çështje kohe”. Për Ançelotin koha duket se është tani, pikërisht kur Arsen Venger duket se do ta mbyllë pas 22 vjetësh në stolin e “topçinjve”.
Italiani ka një karrierë të shkëlqyer, duke fituar tri herë Championsin, dy herë me Milanin e një herë me Realin. Përveç titullit në Angli, ai u shpall kampion edhe në Itali me Milanin, në Spanjë me Realin, në Francë me Paris SG, dhe në Gjermani me Bajernin. Famën e tij nuk e njollosi dot shkarkimi në vjeshtë në Mynih pas një sezoni shumë të dobët.
Përballë tij është thuajse e sigurt që do të jetë Alegri. Me shumë gjasa ai do të zëvendësojë Antonio Konten në stolin e Çelsit, pra një italian do t’i zerë vendin një tjetri. Ende i ri, 50 vjeç, Alegri vazhdon karrierën në një nivel shumë të lartë me Juventusin, me të cilin ka fituar tre tituj kampion radhazi dhe tri Kupa të Italisë, si dhe ka arritur dy herë në 3 sezonet e fundit në finalen e Championsit.
I quajtur shkurt “Maks”, ai doli kampion edhe me Milanin. Me mbërritjen e italianëve të tjerë, Premier Liga do të jetë edhe më shumë globale, ndërsa derbi Arsenal-Çelsi do të ketë vërtet një shije të veçantë.
Sfidanti.al