“Bien e ngrihen” në Superligë, fitorja e Tiranës në Laç nxjerr Vllazninë në krye!

Nuk dihet nëse ka pasur ndonjëherë garë më të fortë për titull se kjo. Një tjetër ndryshim në krye të renditjes ndodhi pas javës së 25-të, dhe një ngjeshje më e madhe u bë në pesë vendet e para të renditjes së Superligës. Fitorja e Tiranës në fushën e Laçit, arritur me shifrat 2-1, e kombinuar me suksesin e Vllaznisë në stadiumin e Kamzës ndaj Kastriotit, bënë që shkodranët të ngjiteshin sërish në krye, dhe që kampionët të jenë sërish në pretendime për të mbrojtur titullin.

Në një përballje shumë të fortë në Kurbin, tiranasit u treguan më të zotë, por edhe me më shumë fat duke qenë thuajse gjatë gjithë kohës në epërsi. Çelhaka e Ismajlgeci ishin autorët e golave për miqtë, ndërsa Mazrekaj barazoi me një goditje të shkëlqyer nga këndi që befasoi portierin Lika. Gjithsesi, ky i fundit u bë shpëtimtar për ekipin e trajnerit Orges Shehi duke evituar gol të sigurt.

Vllaznia fitoi në fund ndaj Kastriotit me gol të Ardit Hoxhajt, dhe tani ka 45 pikë ndaj 44 të kurbinasve të trajnerit Shpëtim Duro. Tirana u ngjit në 38 pikë dhe nuk është aq larg kreut sa të mos ketë pretendime kur janë në lojë edhe 33 pikë. Fitore të rëndësishme në fundin e tabelës, me Bylisin që mundi Kukësin dhe Skënderbeun që ia doli në Fier ndaj Apolonisë, me të njëjtin rezultat 2-1.

Java 25: Laçi-Tirana 1-2, Kastrioti-Vllaznia 0-1, Bylis-Kukësi 2-1, Apolonia-Skënderbeu 1-2.

Renditja: Vllaznia 45 pikë, Laçi 44, Partizani 42, Teuta 42, Tirana 38, Kukësi 32, Kastrioti 29, Bylis 25, Skënderbeu 19, Apolonia 17.

Sfidanti.al