Traditë golat të portierëve tek Sevilja, Bono shënon 14 vjet pas Andres Palopit!

Si mund të ndihet një i tillë pasi tund rrjetën? Portieri i Seviljes, Jasin Bunu, shënoi në sekondat e fundit në ligën spanjolle të futbollit duke i dhënë barazimin 1-1 skuadrës së tij ndaj Vajadolidit. Marokeni 29-vjeçar, i njohur në Spanjë me emrin Bono, u ndodh në zonën e rreptësisë në minutën e 94-ët, dhe konkretizoi paraqitjen e shokëve të tij që nuk meritonin aspak të humbisnin. Sevilja pati epërsi dërrmuese me 11 gjuajtje në portë ndaj 3 të Vajadolidit, por miqtë kaluan në avantazh në 69’ me anë të golit të Fabian Orejans. Pasi arriti të barazonte, Bono, u intervistua dhe tregoi emocionet e tij.

“Goli më takoi mua dhe jam shumë mirënjohës, – tha ai, – është e vështirë të shpjegoj atë që ndjeva, madje pas golit nuk dija sesi ta festoja. Është diçka shumë e çuditshme, por shokët e ekipit janë të lumtur me mua, madje ne meritonim më shumë”.

Sevilja është në vendin e katërt në La Liga, dhe duket e sigurt që do të kualifikohet në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa trajneri Lopetegi, një ish-portier, komentoi golin e Bonos. “Unë nuk shënova kurrë ndonjë gol sa kohë që luajta futboll, – y shpreh Lopetegi, – madje nuk e bëra dot as në stërvitje. Jam i lumtur që Bono ia doli, jam krenar për portierin tonë. Nuk ishte normale, por të paktën na dha një pikë, kur mund të kishim humbur”.

Sevilja e ka traditë shënimin nga ana e portierëve, dhe mjafton të kujtojmë vitin 2007 kur Andres Palop e bëri një gjë të tillë. Luhej ndaj Shahtarit të Donjeckut në turin e të 16-ve në Kupën UEFA, dhe Palop barazoi ndeshjen në sekondat e fundit duke e dërguar ndeshjen në shtesë. Sevilja u kualifikua, me 3 penallti të pritura nga Palop, dhe më pas e fitoi Kupën UEFA në finalen ndaj Espanjolit pas 11-metërshave, ku sërish ai u bë protagonist duke ndaluar gjuajtjet e kundërshtarëve.

Sfidanti.al