Një cikël i ri fillon pas pak ditësh dhe shpresojmë të jemi gati. Kështë uron dhe beson edhe trajneri i kombëtares, Edi Reja, që shpalli listën me 28 lojtarë për tri ndeshjet e para eleminatore të Kupës së Botës, ndaj Andorrës, Anglisë e San Marinos. Nuk mungojnë Uzuni, Manaj, Broja, Kumbulla, Gjimshiti apo Roshi. Debutues janë Nedim Bajrami e Mario Mitaj, vjen më në fund Kamberi që u pengua nga pandemia, dhe Reja sqaron zgjedhjet e tij.
“Ka disa emra të rinj, për shembull Nedim Bajrami, një lojtar që po paraqitet mjaft mirë tek Empoli, – thotë italiani, – Një tjetër është Mario Mitaj, që ka spikatur me AEK-un e Athinës në Greqi. Më pas kemi Çokajn, Kallakun, të gjithë lojtarë të Shqipërisë U-21 dhe sidomos Kamberin, që nuk e kemi pasur më parë. Në Skoci ka bërë disa ndeshje të shkëlqyera. Është rikthyer pas disa kohësh, Ajeti, dhe është në kushte optimale. Vjen për të zëvendësuar Dermakun, i cili sapo është rikuperuar nga dëmtimi”.
Kombëtarja luan në 25 mars në fushën e Andorrës, në 28 mars pret Anglinë dhe në 31 mars shkon në San Marino. Reja është shprehur se dëshiron 7 pikë nga këto ndeshje.
Lista e kombëtares
Portierë: Berisha, Strakosha, Selmani.
Mbrojtës: Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Veseli, Ajeti, Doka, Memolla, Hoxhallari, Mitaj.
Mesfushorë: Memushaj, Gjasula, Çokaj, Lenjani, Bajrami, Laçi, Kallaku, Ramadani, Roshi, Bare.
Sulmues: Broja, Kamberi, Cikalleshi, Manaj, Uzuni.
Sfidanti.al