Të paktën 15 agjentë të sigurisë kanë humbur jetën në dy shpërthime me autobomba në kryeqytetin e Turqisë, Stamboll. Njëra prej tyre. ajo që shkaktoi tragjedinë kryesore, ishte pranë stadiumit të Beshiktashit, “Vodafon Arena”, ndërsa kishte dy orë që kishte përfunduar me fitoren e skuadrës vendase ndeshja e radhës në Superligën turke, ajo ndaj Bursasporit. Autobomba shpërtheu ndërsa tifozët ishin larguar, pra qëllimi ishte të goditeshin forcat e policisë, që po largoheshin me autobus nga impianti. Bilanci deri tani është për 15 jetë të humbura dhe për shumë të plagosur, ndërsa nuk pati viktima bomba e dytë në Parkun Gezi, pranë Sheshit Taksim. Autoritetet turke besojnë se ky atentat nuk është vepër e ISIS-it, për shkak se nuk u shënjestruan civilët. Mënyra e veprimit ngjan më shumë me organizatën kurde, TAK, e cila godet vetëm forcat e policisë, ndërsa partia tjetër kurde, PKK, zakonisht nuk bën atentate përveçse në pjesën juglindore të Turqisë, aty ku banon edhe pjesa kryesore e popullsisë kurde.