Asensio: Me një telefonatë të Rafael Nadalit përfundova te Reali?

“Perla” e re e Realit të Madridit, Marko Asensio, bëri të ditur, ditët e fundit, një histori të pazakontë lidhur me atë sesi ky futbollist 21-vjeçar me perspektivë, një nga të papriturat më të këndshme të këtij sezoni në Premerën dhe Ligën e Kampioneve të Evropës, kishte përfunduar te klubi “mbretëror”. Ky futbollist mjaft i talentuar, të cilin, tanimë, e vlerëson mjaft edhe trajneri i Realit, Zinedin Zidane, duke e aktivizuar edhe në ndeshje të rëndësishme, në një intervistë të fundit në televizionin zyrtar të Realit të Madridit, zbulon se transferimin atij te Reali ia kishte rregulluar tenisti më i mirë spanjoll, Rafael Nadal, që, veç faktit se është një tifoz i madh i Realit, ka edhe lidhje të ngushta me krerët e klubit madridas. “Po, ajo që tregohet për mua, lidhur me Rafael Nadalin, është e vërtetë. Ai e mori në telefon presidentin e klubit, Florentino, të cilit i tha se klubi i tij nuk duhet të lejojë që unë të përfundoja në ndonjë klub tjetër. Kështu, unë përfundova te Reali”, tregoi Asensio që duket se ka një të ardhme të madhe në klubin “mbretëror”.

Sfidanti.al