Tirana, një padrejtësi normale e futbollit jo vetëm shqiptar!

Ende ka disa skuadra që mund të mburren se nuk janë rrëzuar kurrë nga kategoria në futboll. Ende tifozët e tyre mund të dalin në rrugë dhe të bëjnë sjelljen e zakonshme, talljen me përkrahësit e ekipeve rivalë. Që pas të shtunës, tifozët e Tiranës nuk bëjnë pjesë më mes tyre, por kjo tragjedi mund të quhet ndër më normalet në Europë apo në gjithë botën. Në elitën e futbollit anglez, themeluesit të këtij sporti, nuk ka asnjë skuadër që nuk ka rënë të paktën një herë. Në Gjermani është vetëm Hamburgu, i cili nga viti në vit është “hë po bie sot, hë po bie nesër”, ndërsa në Itali është Interi, i cili gjithsesi nuk po i kënaq aspak tifozët.

Ashtu si shprehja “nxënësi i mirë duhet të provojë çdo notë”, mund të thuhet se “tifozi i mirë duhet të provojë edhe rënie nga kategoria”, për t’u bërë më i plotësuar si i tillë. Publiku bardheblu do të duhet të “regjë lëkurën” me një turp i cili në vetvete nuk mund të quhet turp, por moment i keq që i ndodh kujtdo. Tashmë, bardheblutë do të jenë në të njëjtën “varkë” me blutë e Dinamos dhe të kuqtë e Partizanit, që e kanë provuar këtë hidhërim më përpara. Kjo do t’i bëjë ata më të ngjashëm, dhe më pak arrogantë.

Ironikisht, Tirana nuk ra nga kategoria në vitet 1945-1990, atëherë kur më të privilegjuar ishin Partizani dhe Dinamo, por në epokën e sotme, por është e kotë të përdoren “klishe” apo “formula të gatshme” në futboll. Sot, menaxhimi i klubit dhe rrethanat e tjera sollën katastrofën, dhe shqetësimi më i madh i tifozëve është nëse Tirana do të dijë të reagojë dhe të kthehet shpejt në elitë, apo do të duhet të pritet gjatë si me Dinamon?

Gjasat janë që klubi më i madh i futbollit në Shqipëri të jetë në Superiore në 2018-ën, veçse më parë duhet shikuar se çfarë do të ndodhë me aksionet e tij, do të vazhdojë t’i ketë Halili, apo ky do të dorëzohet dhe do të hyjë në skenë një tjetër (skenar që duket se e pëlqejnë tifozët). Dhe së fundi, ky tjetri që mund të hyjë në skenë, do të jetë apo jo në gjendje të rikthejë “Tironën e Modhe”?!

Sfidanti.al