Armando Sadiku nuk largohet nga kontinentet amerikane, shpejt kalon në SHBA!

Europën duket se nuk do ta shikojë kaq shpejt. Kanë qenë kohë të tjera ato kur Armando Sadiku shkëlqente në Zvicër e në Spanjë, ndërsa për momentin duhet të kënaqet me futbollin e Amerikës së Jugut. Gjithsesi, kalimi tek Bolivari në Bolivi duket se është një etapë e përkohshme e karrierës së sulmuesit të kombëtares, që besohet se për pak muaj do të kalojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Burime pranë lojtarit bëjnë me dijë se presidenti Marselo Klaure ka aksione në klubin amerikan Inter Majemi, dhe shtojnë se numri 1 i klubit e ka marrë Sadikun pikërisht me planin për ta kaluar në Ligën Profesioniste Amerikane. Kjo pritet të ndodhë sezonin e ardhshëm, ndërsa për momentin 29-vjeçari do të duhet të japë maksimumin për klubin më të shquar të Bolivisë që ka fituar 29 tituj në histori.

Sadiku besohet se merr një rrogë vjetore që arrin në 1 milionë USD, duke përfshirë edhe shpërbimet e ndryshme, dhe që është më e kënaqshme sesa ajo që merrte në Turqi tek Erzurumspori. Objektivi kryesor për futbollistin e lindur në Cërrik është rikthimi në kombëtare, ku ka luajtur për herë të fundit në ndeshjen ndaj Lituanisë në 7 shtator të vitit të kaluar për Ligën e Kombeve. Sadiku është shënuesi më i mirë i ekipit përfaqësues ndër lojtarët aktivë me 12 gola.

Sfidanti.al