Në Europë nga dështimi në dështim. Ky ishte përfundimi i mediave katalanasve pas turpërimit të radhës së Barcelonës në Ligën e Kampionëve, humbjes 1-4 ndaj Paris SG. Eleminimi që është thuajse i kryer vjen pas katastrofave radhazi në kontinent, që nisën me përmbysjen e pabesueshme të Romës në 2018, dorëzimit në “Anfild” ndaj Liverpulit në 2019 me humbjen 0-4, dhe shkatërrimit total e të paprecedentë në çerekfinale ndaj Bajernit sezonin e kaluar, një humbje 2-8.
Ku ka shkuar Barcelona e madhe e “tiki takës”, e epokave të Guardiolës dhe Luis Enrikes, që edhe kur nuk fitonte Championsin, ishte skuadra më e mirë e botës? Duket se brezi i madh e ka mbyllur ciklin e duhet të largohet. Gerard Pike, Zhordi Alba, Sergio Buskets dhe Lionel Mesi ndoshta janë bërë të tepërt në “Kamp Nou”.
Të tillë si Dest, Dembele e Grizman nuk po bëhen dot kurrë pjesë “organike” e skuadrës, ndërsa Pjaniç e Brejthuejt duken si “mish i huaj”. Të rinjtë si Pedri, Mingeza, Trinkao apo Puig janë ende të vegjël e pa përvojë për të mbajtur mbi supe traditën e madhe. Gjithsesi, problemi kryesor është se Barcelona nuk ka sot një identitet, ndaj edhe i humburi i madh duket trajneri Ronald Kuman. Holandezi u duk i dorëzuar pas ndeshjes.
“Padyshim që rezultati tregon sesa superiorë ishin ata ndaj nesh, – tha ai, – fizikisht ata provuan se ishin shumë më lart se ne. Duhet ta pranojmë këtë gjë, pasi treguan se ishin skuadër me e kompletuar sesa e jona. Ne duhet të përmirësohemi. Dakord, këto gjëra mund të ndodhin, sidomos ndaj një ekipi me më shumë përvojë sesa ne. Nuk mund të gënjejmë pas një humbjeje 1-4 në shtëpi, na mbetet shumë pak shpresë”.
“El Mundo Deportivo” kujton se Mesi ka shënuar këtë sezon në Champions vetëm me penallti, janë katër gola që të gjithë nga pika e bardhë, dhe asnjë nga loja! Gazeta “AS” shkruan edhe për konfliktet e brendshme të katalanasve, me sherrin verbal mes Gerard Pikësë dhe Antuan Grizmanit, kur ndeshja ishte në 1-1. Në Katalonjë, e përditshmja “Sport” kujton ditën kur drejtuesit barcelonistë shpërfillën mundësinë për të marrë Mbapenë në 2017, ndonëse babai i futbollistit kishte folur disa herë me “blaugranët”, por klubi vendosi të merrte Usman Dembelenë.
Shkurt, Barcelona ka rënë prej vitesh në duar të këqija, që shkuan kot qindra milionë euro, ndërsa e ardhmja duket se i përket Parisit, Mynihut, Madridit apo Anglisë.
Sfidanti.al