Nuk kanë ardhur kot deri këtu. Juventusi ka shumë kampionë në përbërje dhe ata duan të jenë pikërisht të tillë në Champions, siç e treguan edhe në fazën e grupeve duke triumfuar brenda në Barcelonë. Kanë kaluar muaj që nga ajo kohë, dhe skuadra e trajnerit Andrea Pirlo u përgatit fort për sfidën e turit të dytë në Porto.
“Zonja e Vjetër” do të ketë disa mungesa si Kuadrado apo Artur të dëmtuar, por edhe Bonuçi e Dibala, ndonëse ata ishin pjesë e ekipit për këtë ndeshje. Kristiano Ronaldo do të jetë në sulm, ndërsa flitet se Kulushevski është në avantazh ndaj Moratës, që nuk po shënon së fundmi. Kampionët e Italisë shihen si një nga favoritët e këtij edicioni, ndaj edhe udhëtuan drejt Portugalisë me besim. Ata pritet që të kualifikohen për në çerekfinale për të sfiduar më të fortët si Bajerni, Paris SG apo skuadrat angleze.
“Porto është një skuadër që mbrohet shumë mirë, – shprehet Pirlo, – në ndeshjet e fundit në Champions patën 4-5 ndeshje ku nuk pësuan gola. Një ekip kompakt, me stilin e Atletikos së Madridit, ndaj duhet të kemi shumë durim, të mos nxitohemi e të nervozohemi, sepse Porto është shumë e rrezikshme në kundërsulm, me shpejtësi e forcë fizike. Ndeshja do të jetë pak a shumë kështu”.
Porto, ndërkaq, nuk ka ndërmend të dorëzohet, ndonëse atmosfera në ekip nuk është nga më të mirat. Të mbiquajtur “dragonjtë” janë 10 pikë prapa Sportingut kryesues në Primera Ligën e Portugalisë, ndonëse trajneri Serzhio Konseisao ka besim. Ai ka shënuar ndaj bardhezinjve dy dekada më parë kur dilte kampion me Lacion.
“E kam mundur Juventusin si lojtar dhe shpresoj ta bëj edhe si trajner, – tha Konseisao, – shënova për Lacion ndaj Juves kur fitova titullin tim të parë. Sa për ndeshjen, ndoshta ne nuk jemi aq mirë në kampionat, por në Champions kemi qenë shumë më lart. Çdo ndeshje ka historinë e vet, do të jemi përballë një prej skuadrave më të mira të botës”.
Gjithsesi, tradita është fuqishëm në favor të italianëve, që në 1984 fituan Kupën e Kupave pikërisht në finalen ndaj portugezëve, ndërsa në Champions janë ndeshur katër herë me 3 fitore të Juventusit dhe një barazim.
Sfidanti.al