Armando Broja: E kam të vështirë të vendos për të ardhmen!

Edhe vetë e di se në futboll e mira dhe e keqja ndahen vetëm nga një hap. Dalë nga dalë vjen fundi i sezonit dhe Armando Broja duhet të bëjë një zgjedhje për të ardhmen, diçka që për momentin nuk dëshiron ta mendojë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që po shkëlqen me Sauthemptonin në Premier Ligë, e tregoi dyzimin e tij në një intervistë për televizionin e klubit.

“Për mua është një zgjedhje e vështirë, – tha Broja, – unë dua që t’i marr hapat një nga një. Nuk dua që të mendoj shumë për të ardhmen, sepse kjo mund të më pengojë në paraqitjet e mia në fushë, mund të dëmtojë mentalitetin tij. Dua të mbaj këmbët në tokë, dhe për këtë le të shikojmë në fund të sezonit se çfarë mund të ndodhë.”

Si ndihet Broja për këtë paraqitje kaq të mirë të këtij sezoni?  “Nuk dua të shikoj kaq shumë te statistikat, te golat apo asistet,  – tha ai, – nëse punon shumë ato vijnë. Gjithsesesi, nuk mund ta mohoj se jam i lumtur për këtë. Në fillim ishte e vështirë sepse duhej të përshtatesha, ndoshta nuk po punoja sa duhet në stërvitje, nuk po i ndihmoja shokët sa duhet. Pastaj bisedova me trajnerin dhe ai më ndihmoi.”

Gazetari i klubit e pyeti edhe për idhullin e tij, Kristiano Ronaldo. “Ishte diçka shumë e bukur që ishim përballë në “Old Traford”, – thotë Broja, – unë nuk desha të mendoja shumë për këtë, sepse ne ishim kundërshtarë dhe ne donim që të fitonim. Gjithsesi, pata emocione të mëdha dhe i thashë pas ndeshjes se ajo që ka bërë ai për futbollin është e jashtëzakonshme. Ai dhe Mesi janë të veçantë. Gjithsesi, nuk ia kërkova bluzën, thjesht shtrënguam duart.” Broja ka 9 gola dhe 1 asist këtë sezon me Sauthemptonin si dhe 3 gola me Shqipërinë.

Sfidanti.al