Antetokumpo-Lebron, dueli për fronin e “Mbretit” në NBA

“Mbreti” mbetet ai, Lebron Xhejms, për këtë nuk ka dyshim. Veçse, koha për ndërrimin e stafetës po afron gjithnjë e më shumë. Një kujtesë për këtë ishte përballja në Miluoki mes Janis Antetokumpos së vendasve dhe vetë Xhejmsit. Jo vetëm Klivlendi fitoi lehtësisht 116-97, por edhe Antetokumpo kuptoi se do të duhet edhe më shumë sesa thjesht klasi individual për të lënë pas Lebronin.

Janis e fitoi duelin, nëse mbështetemi tek statistikat. Shënoi 34 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbeu 8 asistë, vodhi 3 topa ndaj kundërshtarëve dhe u bllokoi një gjuajtje. Lebron shënoi vetëm 24 pikë, pati 5 topa në tabela, 8 asistë dhe 1 vjedhje topi, por ishte prania e tij në fushë që “galvanizoi” Kavaliersët. Në një moment, Lebron bllokoi një gjuajtje të Antetokumpos dhe vrapoi në krahun tjetër për të shënuar një tripikësh.

Trajneri i Miluokit, Xhejzën Kid, shok me Lebronin në kombëtaren e SHBA-së në Lojrat Olimpike në Pekin 2008, thotë se beteja mbetet e hapur. “Yjet e vjetër gjithnjë sfidohen nga të rinjtë, – tha ai, – dhe kjo është bukuria e sportit. Lebron e maste veten me Kobi Brajantin dhe që nga ajo kohë u bë më i miri”. Vetë Brajant e ka ngacmuar Antetokumpon që ta masë veten me Xhejmsin dhe të bëhet më i miri.

Sfidanti.al