Në krye mbetet Napoli, por Interi doli më i fortë nga “San Paolo”

Një barazim nuk është kurrë një fitore, por kur e merr në fushën e rivalit më të fortë, i afrohet tripikëshit. Bëhet edhe më i vlefshëm kur është i merituar dhe i arritur me lojë thuajse të barabartë, jo duke vrapuar 10 lojtarë në mbrojtje pas topit. i tillë ishte barazimi i Interit në fushën e Napolit që, për momentin i vlejti më shumë Juventusit, por që në të ardhmen do të ketë më shumë rëndësi për zikaltërit.

Padyshim, formacioni mik i trajnerit Luçiano Spaleti u ndihmua nga fakti se pati një javë kohë për t’u përgatitur dhe se udhëtimi i vetëm ishte ai me avion Milano-Napoli, ndërsa kryesuesit patën përballjen me Sitin të martën në Champions (më të fortën e grupit), si dhe udhëtimet Napoli-Mançester-Napoli.

Në “San Paolo” u luajt një ndeshje e bukur dhe e fortë, me nga dy raste të pastra për secilën skuadër. Mertens e Insinje për Napolin dhe Borha e Vesino për Interin.  Gjithsesi, vendasit patën më shumë iniciativë, siç edhe pritej dhe Handanoviç u detyrua të bënte ndonjë pritje më shumë sesa Reina, ndërsa Hamshik, Insinje, Mertens apo Kajehon rrezikuan seriozisht disa herë.

Elseid Hysaj u zgjodh përsëri të ishte titullar, pas mbrëmjes së vështirë në Mançester, dhe luajti mirë duke ndihmuar ekipin edhe në sulm, por po ashtu edhe në mbrojtje. Pas këtij barazimi, Napoli ka 25 pikë ndaj 23 të Interit, ndërsa më prapa janë Juventus e Lacio me nga 19 pikë, dhe një ndeshje më pak.

Sfidanti.al