Antetokumbo e Miluoki vetëm një fitore larg titullit në NBA

Nuk e kanë ende të fituar dhe nuk janë të sigurt që do t’ia dalin, por për momentin janë ndër njerëzit më të lumtur në botë. Basketbollistët e Miluoki Baksave, të udhëhequr nga Janis Antetokumbo dhe trajneri Majk Badenholzer, arritën fitoren e tretë në serinë finale për titull në NBA, duke kryesuar 3-2 ndaj Feniks Sansëve. Suksesi 123-119 u arrit jashtë fushe dhe ndeshja e gjashtë do të jetë në shtëpi. Kjo u arrit edhe pse vendasit kryesonin me 16 pikë diferencë gjatë sfidë. Nëse fitohet, Miluoki merr titullin e parë në NBA pas 50 vjetësh, ndërsa në 1971 fitoi me Lju Alsindorin (Karim Abdul Xhabarin).

“Ne e dimë sesi qendrojnë punët dhe se çfarë kërkohet prej nesh, – tha Antetokumbo, – ne jemi një ndeshje larg titullit në NBA”. Konferenca për shtyp u shty mjaft minuta sepse kapiteni ishte i dehidratuar. Antetokumbo shënoi 32 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, por ai gaboi shumë në gjuajtjet e lira (4-11). i gjithë Miluoki gaboi dhe pati bilancin 9-17 nga gjuajtjet e lira, thuajse 50 për qind. Gjithsesi, në gjuajtjet nga loja ata ishin të shkëlqyer, mesatare 62.1 për qind, thuajse baraz me rekordin e NBA-së në finale 62.5 për qind.Kris Midëlton shënoi 29 pikë, kapi 7 topa ne tabela e dha 5 asistë, Xhru Holidei shtoi 27 pikë, 4 topa në tabela, 13 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Devin Buker i Feniksit ishte më i miri në fushë me 40 pikë, por nuk mjaftoi.

Sfidanti.al