Mund të pritej nga kushdo, por jo prej tij. Sergio Ramos padyshim është një personalitet i futbollit (me dritëhijet e veta), por kur vjen puna te golat ka “profesorë” të tjerë. Gjithsesi, kapiteni i Realit të Madridit barazoi një rekord të golave, një nga ata kulme që i arrin vetëm Lionel Mesi.
Mbrojtësi i Realit, me penalltinë realizuar ndaj Getafes, shënoi për të 15-in sezon radhazi në ligën spanjolle në shekullin e 21-të, diçka që deri më sot e kishte bërë vetëm “magjiku” i Barcelonës. Natyrisht, nuk bëhet fjalë që Ramos të ketë shënuar aq shumë gola sa Mesi, por gjë e madhe është që ia ka dalë edhe kështu.
Në La Liga, diçka të tillë nuk e kanë arritur legjenda si Di Stefano, Pushkash apo Hugo Sançez, por kjo për faktin e thjeshtë se nuk kanë luajtur dot aq shumë.
Për 15 sezone radhazi ka realizuar legjendari Telmo Zarra, ish-rekordmeni i golave në kampionat (sot i treti, pas Mesit dhe Ronaldos), ndërsa rekordin absolut e ka Raul Gonzales me 16 edicione me radhë, të përfshira në të dy shekujt.
Sfidanti.al