Ishte cilësuar si skuadra anti-Juventus, por e justifikoi këtë vetëm 45’. Interi i sfidës së Serisë A ndaj Torinos, në “San Siro”, ishte ai që njihet më së miri nga tifozët dhe që ka marrë epitetin “i çmendur”. Lojë magjike në pjesën e parë, aq sa mediat deklaruan se jo gjithçka zikaltër mund të hidhet poshtë, veçse shpërfytyrim i plotë pas pushimit, duke dorëzuar lojën, bashkë me fitoren.
Perishiç e De Vraj ishin autorët e golave për vendasit, veçse Interi nuk është një ekip që mbahet 90 minuta. Beloti shënoi pas gabimit të portierit Handanoviç, dhe Meite barazoi për torinezët. Tifozët pro dhe kundër nuk u përmbajtën në rrjetet sociale.
Një tifoz tallet kështu: Inter-Torino 3-2, me gol të Modriçit në minutën e 94-ët. Postimi tjetër, është më presidentin amerikan Tramp që sikur thotë: Të shpenzosh një pasuri për Handanoviçin! Tallja tjetër për portierin Handanoviç, për gabimin e golit të parë: Nuk e dija se isha në portë! Ja një gjëagjëzë: Merr vetëm 1 pikë në dy ndeshje, por nuk është Frozinone, kush është?
Nuk shpëton as kroati Perishiç, që shënoi një gol: Kur gjen rezultatin e saktë të ndeshjes Inter-Torino! Ja edhe postimi për trajnerin Spaleti: Kur në verë të quajnë anti-Juve, por nuk arrin të kalosh as ekipin tjetër të Torinos. Vetë trajneri interist nuk është dakord me përkufizimin.
“Nuk është e lehtë që ta spjegoj këtë humbje, – tha ai, – nuk di ta them sesi i pësuam golat, por është e qartë se skuadra vuan kur është nën presion. Ju, gazetarët, më thoni se ne jemi anti-Juventusi, por duhet të jemi më parë anti-Napoli, anti-Roma apo anti-Lacio. Për momentin, jemi anti-askushi dhe duhet të përmirësohemi.
Një humbje dhe një barazim në dy ndeshjet e para të Serisë A, do të thotë se Interi është 5 pikë prapa skuadrave që kryesojnë, dhe jo vetëm Juventusit e Napolit, por edhe një emri modest si Spali.
Sfidanti.al