Nuk mund të mendosh se është një bunker. Reali i Madridit nuk ka qenë kurrë i tillë, madje as me Kapelon apo Murinjon, ndaj edhe në fushën e Gironës e nisi duke pësuar. Sidoqoftë, kampionët e Europës, treguan se nuk do ta ndjejnë mungesën e Kristiano Ronaldos, pasi goli nuk ishte problem për ta. Të besuarit e trajnerit Hulen Lopetegi triumfuan 4-1, duke u bërë ekipi kryesues i ligës spanjolle, si dhe ai që ka shënuar më shumë se të tjerët, 6 herë ndaj 4 të Barcelonës.
Po ashtu, mungesën e Ronaldos po e plotësojnë si kolektiv. Karim Benzema e Garet Bejl, por edhe Sergio Ramos, janë autorë të rrjetave. Mediat spanjolle nuk ngurruan ta lavdëronin Realin. Gazeta “AS””: Ligji i golit! Madridi kthehet nga Girona si lider dhe si ekipi që shënon më shumë! Ja edhe “Marka”: Madridi fiton me përmbysje! Të bardhët, lider të përkohshëm të kampionatit!
Kryeqytetasit po tërheqin vëmendjen edhe për vendimet e trajnerit Lopetegi. Ai vazhdon të lerë në stol portierin e marrë nga Çelsi, Tibo Kurtua, dhe t’i besojë Kejlor Navasit. Po ashtu, rezerva ishin edhe Luka Modriç e Rafael Varan, me kroatin që hyri në lojë në pjesën e dytë. Lopetegi po pret që ata të arrijnë formën maksimale pas Botërorit.
Së fundmi, zëvendësimi i Marselos, pasi tekniku gjykoi se mbrojtësi brazilian luajti dobët në pjesën e parë. Vetë ish-trajneri i Spanjës theksoi pas ndeshjes se “po synon konkurrencën në portë, synon që Modriç e Varan të hyjnë dalë nga dalë në ekip, dhe se në ekip nuk ka të pazëvendësueshëm”.
Sfidanti.al