Përfliteshin shifra edhe më të mëdha, por gjithsesi është shumë. Paris SG i ofron Lionel Mesit rrogën më të lartë në historinë e klubit, diçka që kapërcehet vetëm nga kontratat e sponsorizimit. E përditshmja franceze “L’Ekip” zbulon se akordi mes superyllit argjentinas dhe klubit të zotëruar nga sheikët e Katarit, parashikon 110 milionë euro rrogë në 3 sezone, duke nisur me 30 milionë vitin e parë, për të kaluar në 40 milionë euro në dy edicionet e tjerë, deri në 2024 kur Mesi të jetë 37 vjeç. Kjo është rroga që merr edhe braziliani Nejmar në “Parkun e Princave”, ndërsa Kilian Mbape me marrëveshjen e tanishme fiton më pak.
Rritja e pagës vjetore është e mundshme për shkak të një shpërblimi të quajtur “të besnikërisë” prej rreth 15 milionë eurosh në vit. Kjo, për shkak se Mesi nuk pati asnjë kosto kur u largua nga Barcelona. Përveç kësaj, kapiteni i Argjentinës dhe ish-kapiteni i katalanasve ka një klauzolë shpërblimi në kriptomonedhë që arrin në 30 milionë euro për 3 vitet e kontratës. Përveç kësaj shifre tepër të madhe, i mbiquajturi “Pleshti” do të ketë fitime nga shpërblime të ndryshme gjatë sezonit, në bazë të paraqitjeve individuale dhe trofeve me ekipin.
Sfidanti.al