Verstapeni fiton në Francë, dhe pse Mercedesi ishte më lart!

Ishte çështje strategjie dhe taktike të zgjedhur në moment, por padyshim ishte edhe dëshira e vullneti i një 23-vjeçari që mëton të bëhet kampion, ndaj një 36-vjeçari që ka fituar gjithçka në karrierë e ka vendosur kaq shumë rekorde. Maks Verstapen fitoi Çmimin e Madh të Francës në pistën “Pol Rikard” pas një gare me shumë emocione, duke lënë pas Ljuis Hamiltonin me Mercedes, ndërsa Sergio Perez i Red Bullit doli i treti. Verstapen, piloti holandez i Red Bullit, gaboi në nisje kur ishte në vend të parë, lejoi Hamiltonin ta parakalonte, por më pas përfitoi nga taktika më e zgjuar e austriakëve, duke dalë nga bosket në vend të parë.

Më pas, bëri një ndalesë për të ndërruar gomat kur duheshin edhe 20 xhiro deri në fund, ishte 20 sekonda prapa, por ia doli të kalonte Perezin e Botasin, ndërsa Hamiltonin e kaloi fare në fund, kur duhej edhe një xhiro e gjysmë deri në përfundim. Emocione të fuqishme dhe fitore e merituar e Vestapenit, që mesa u duk nuk kishte makinën më të shpejtë, por skuadrën më të mirë. Holandezi kryeson renditjen e pilotëve me 131 pikë, 12 më shumë sesa Hamilton (119), me Sergio Perezin në vend të tretë me 84 pikë dhe Valteri Botasin të katërtin me 76. Si skuadra, Red Bulli ka 215 pikë, ndaj 196 të Mercedesit. Me gjasë, këtë sezon Verstapeni dhe Red Bulli mund t’i japin fund dominimit të Mercedesit dhe Hamiltonit.

Sfidanti.al